Parlamenti i Ontarios me nderimet më të larta për zv.kryeministrin Gashi

Parlamenti i Ontarios me nderimet më të larta për zv.kryeministrin Gashi

09/03/2018
Në një ceremoni të organizuar gjatë seancës plenare të Parlamentit Provincial të Ontarios, kryetari i këtij parlamenti, Dave Levac, ka ftuar si mysafirë të veçantë zv. kryeministrin e Kosovës, njëherësh ministrin e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, dhe delegacionin e kryesuar nga ai

Në një ceremoni të organizuar gjatë seancës plenare të Parlamentit Provincial të Ontarios, kryetari i këtij parlamenti, Dave Levac, ka ftuar si mysafirë të veçantë zv. kryeministrin e Kosovës, njëherësh ministrin e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, dhe delegacionin e kryesuar nga ai. Gjatë përshëndetjes publike, kryetari Levac tha: “Të nderuar deputetë, ministra, më lejoni të përshëndes dy mysafirë të veçantë, të cilët janë ulur në lozhën lart: ministrin e Diasporës të Shqipërisë, z. Pandeli Majko, dhe ministrin e Diasporës, njëherësh  zv. kryeministrin e Kosovës, Dardan Gashi”.

Ceremonia e pritjes solemne u organizua me rastin e vizitës së ministrit Gashi në Toronto të Kanadasë.

Po ashtu, në njërën nga sallat e Parlamentit, ministri Gashi, i shoqëruar nga ministri Majko, ka qenë prezent në ekspozitën e organizuar nga komuniteti shqiptar në diasporë “Gratë shqiptare ndër dekada”, në të cilën, ndër të tjerë, kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i Parlamentit, Levac; ministrja për Shtetësi dhe Migracion, Laura Albanese; ministri i Inovacionit, Hulumtimit dhe Shkencës, Reza Moridi, dhe deputeti i Parlamentit provincial, Shafiq Qaadri.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, zv. kryeministri Gashi tha se këtë vit është shënuar 10-vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe, njëherësh,  10-vjetori i themelimit të marrëdhënieve diplomatike me shtetin mik të Kanadasë.

“Për komunitetin shqiptar në Kanada, këto ditë, kemi shënuar shumë suksese të tyre në fushën e biznesit, jetën akademike dhe në atë  profesionale. Dhe kjo është inkurajuese për ne që si dy qeveri ta thellojmë bashkëpunimin në të mirë të të dyja vendeve”, theksoi më tej ministri Gashi, duke përmendur edhe njëherë ndërtimin e “Shtëpisë së Shqiptarit” në Toronto, një projekt afatgjatë, të cilën komuniteti shqiptar do të kishte si adresë.

Gjatë kësaj vizite, zv. kryeministri Gashi, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Diasporë i Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko, ka pasur një bashkëbisedim me kryetarin dhe me anëtarët e kryesisë së Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, me të cilët në detaje ka diskutuar për çështjen e “Shtëpisë së Shqiptarit” dhe për projektet në vazhdimësi.

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, po ashtu, kanë pasur një takim me Shoqatën e Profesionistëve Shqiptaro-Kanadezë, me të cilët kanë diskutuar për modalitetet e mundshme të bashkëpunimit në të ardhmen, në formën e konsulencave.