“Stone Castle” me plane konkrete për investime shtesë në Kosovë

“Stone Castle” me plane konkrete për investime shtesë në Kosovë

17/04/2018
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, priti drejtorin e përgjithshëm të vreshtave dhe verarisë “Stone Castle”, z. Ylber Bajraktari, i cili e njoftoi ministrin për projektet e ardhshme të prodhuesit më të madh të verërave në Kosovë.

“Për sivjet po planifikojmë edhe 60 hektarë shtesë të mbjellim sorta të reja të rrushit, si Pinot Grigio dhe Traminec”, tha Bajraktari.

Ai, po ashtu, informoi ministrin për pjesëmarrjen në panairin më të madh të verërave në botë që mbahet në Dyseldorf, ndërsa në ShBA, Veraku, prodhim i kësaj kompanie, ka marrë çmimin e artë, si konjaku më i mirë i prodhuar në Evropë.

Sa u përket investimeve shtesë, Bajraktari tha se “Stone Castle” tani ka në plan t’i mbjellë 200 hektarë me vreshta rrush të tryezës.

“Populli i Kosovës me rrushin që vilet këtu, mund të furnizohet vetëm dy javë. E tëra sasia tjetër importohet. Andaj, besoj se me Ligjin e ri për investime strategjike mund ta ndryshojmë këtë”, theksoi ai.

Ministri Gashi e falënderoi atë për punën që “Stone Castle” po  bën, ndërsa e informoi edhe për parametrat, mbi të cilët funksionon Ligji për investime strategjike në Kosovë.

“Stone Castle po bën një punë të mrekullueshme. Tash, me ligjin për investime strategjike, do t’i shikojmë modalitetet e projektit të propozuar dhe, më pas, do t’i vazhdojmë edhe takimet, që të arrihet një rezultat i kënaqshëm për të dyja palët”, tha Gashi.

“Stone Castle” eksporton verën dhe verakun në Kanada, Norvegji, ShBA  dhe në shtetet e BE-së.