Kompania miliardëshe e minierave nga Kanadaja interesohet për zinkun e Kosovës

Kompania miliardëshe e minierave nga Kanadaja interesohet për zinkun e Kosovës

24/04/2018
Zv. kryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, priti një delegacion të kompanisë “Trevali”, kompani kjo e fokusuar në sektorin e minierave, në veçanti në atë të zinkut.

Zv. kryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, priti një delegacion të kompanisë “Trevali”, kompani kjo e fokusuar në sektorin e minierave, në veçanti në atë të zinkut.

Në prezantimin e kësaj kompanie, Mark Cruise, president dhe CEO i kompanisë, tregoi për operacionet që i kanë në Kanada dhe Afrikë, ndërsa tash janë të interesuar në sektorin e minierave të Kosovës.

 “Nga prezantimet që i pamë në Konventën e PDAC-ut, ku ju ishit prezent në Toronto, u interesuam për këtë sektor në Kosovë. Si prodhuesi i 8-të më i madhi në botë i zinkut, jemi specializuar në minierat e vjetra, të cilat i kemi rivitalizuar dhe i ke mi bërë të leverdishme. Nga kjo, buxheti ynë i përgjithshëm e tejkalon shifrën e një miliard dollarëve”, tha Cruise.

 Zv. kryeministri Dardan Gashi e informoi delegacionin  nga Kanadaja për ndryshimet, të cilat do t’i bëhen Ligjit për Investime Strategjike në sektorin e minierave, në mënyrë që ai të jetë edhe më i mirë për kompanitë e mëdha që vijnë në Kosovë me projekte serioze.

 “Jemi duke e përmirësuar legjislacionin. Tani në sektorin e minierave do të kemi atë që quhet “one stop shop”, ndërsa për kompanitë, të cilat kualifikohen si investitor strategjik, me ndryshimet e ligjit do t’u heqim edhe disa barriera shtesë për ta bërë procesin edhe më të lehtë dhe më të favorshëm”, tha Gashi.

 Gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, delegacioni, i cili po shoqërohet edhe nga zyrtarë të Qeverisë kanadeze, do t’i vizitojë minierat në Kishnicë, Hajvali dhe Artanë, për t’u njohur për së afërmi me mundësitë për investime, siç thanë ata, afatgjata dhe qindra-milionëshe.