Konferenca “Roli i gruas në diasporë”

Konferenca “Roli i gruas në diasporë”

27/07/2018
Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, sot në Prishtinë po mbahet konferenca me gratë e suksesshme të diasporës, me temën “Roli i gruas në diasporë”. Në konferencë po marrin pjesë gra nga Kroacia, Zvicra, Austria, Italia, Greqia e vende të tjera, si dhe nga Kosova e Shqipëria.

Organizuar nga Ministria  e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, sot në Prishtinë po mbahet konferenca me gratë e suksesshme të diasporës, me temën “Roli i gruas në diasporë”.
Në konferencë po marrin pjesë gra nga Kroacia, Zvicra, Austria, Italia, Greqia e vende të tjera, si dhe nga Kosova e Shqipëria.

Konferencën e hapi zv.ministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci, i cili tha se Kosova kurrë nuk do ta harrojë kontributin e madh që ka dhënë gruaja në mërgatë për ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës shqiptare.

Po ashtu, me nga një fjalë rasti u paraqitën edhe deputetet e Kuvendit të Kosovës: Time Kadriaj, Fatmire Kollçaku dhe Mexhide Mjaku Topalli.

Ato thanë se kanë ardhur të diskutojnë për sukseset e gruas  shqiptare në diasporë, si të bëhet më shumë që t’u lehtësohet barra në vendet ku jetojnë. Deputetet e Kosovës u shprehën se do ta kenë përkrahjen e tyre, në mënyrë që konferenca të përmbyllet me sukses.

“Ju falënderoj që ma dhatë mundësinë të jem pjesë e kësaj konference. Uroj që edhe më shumë të avancojë pozita e gruas në shoqëri, që ajo të ketë trajtim të barabartë. Gruaja është shtyllë jo vetëm e familjes, por edhe e shoqërisë. Gruaja në diasporë ballafaqohet me peripeci e pengesa të ndryshme shoqërore, por ajo bën një punë shumë të madhe në edukimin e fëmijëve  për ruajtjen e gjuhës, traditës e kulturës shqiptare.  Gruaja e diasporës jep kontribut në politikë, kulturë shkencë e lëmenj të tjerë”, tha në fjalën e saj deputetja shqiptare e Parlamentit kroat, Ermira Lekaj –Perlaskaj. Ajo theksoi se grave duhet t’u jepet më shumë hapësirë që ato të jenë jo vetëm pjesë e shoqërisë, por edhe pjesë e vendimmarrjes në institucionet e vendit.

Në pjesën e paradites, konferenca pati në fokus  rolin dhe kontributin e gruas për diasporën dhe atdheun, por edhe rolin e saj në zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit gjuhësor, kombëtar e kulturor, veçmas të familjes.

Ndërkaq, në pjesën  e pasdites do të diskutohet për sukseset, vështirësitë dhe problemet, me të cilat ballafaqohet gruaja në diasporë.

Në pjesën e fundit do të ketë diskutime të hapura dhe do të nxirren konkluzionet nga puna  e konferencës.

Gjatë punës së konferencës, pjesëmarrëset do të kenë mundësi të shkëmbejnë përvojat e tyre, por edhe të njihen më mirë me njëra-tjetrën. 

Si pjesë e këtij aktiviteti, nesër pjesëmarrëset do ta vizitojnë kompleksin memorial të Prekazit, qytetin e Bajram Currit dhe Luginën e Valbonës.